Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Gjirokastrës, shihni çfarë përmban ‘dosja e zezë’ e DSIK (Dokumenti)
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ka ankimuar si të pabazuar në ligj vendimin e Komisionit të Pavarur i Kuafikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjirokastrës, Arben Dosti, duke konkluduar se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit.
KPK vendosi më 3 dhjetor 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Gjirokastrës, Arben Dosti, pasi u konkludua se kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për barrën e proves, lidhur me balancën financiare negative të konstatuar gjatë hetimit paraprak në shumën 36.4 milionë lekë për shkak të të ardhurave të padokumentuara, për të cilat cilat subjekti pretendon se i ka kursyer nga emigracioni në Greqi, nga bashkëpunimi me një shoqëri tregtare, si dhe nga shitja e një lokali në pronësi të nënës, të gjitha të përfituara para fillimit të detyrës.
Në ankimimin e plotë të Komisionerit Publik, të cilin mund ta shkarkoni te linku këtu, thuhet ndër të tjera se DSIK dyshon se gjyqtari Arben Dosti “mund të ketë qenë i përfshirë në trafikun e narkotikëve, si dhe të shfrytëzimit të prostitucionit në shtete të huaja (Greqi/Itali), në bashkëpunim me persona të tjerë dhe, se gjatë viteve 1997 – 1998”. Po sipas këtij raporti të deklasifikuar pjesërisht dhe të përgatitur nga DSIK, për gjyqtarin e Gjirokastrës thuhet:
“Dyshohet se ka qenë i dënuar me burg në Milano, Itali, për trafik lëndësh narkotike, periudhë në të cilën mendohet të ketë përdorur gjeneralitete të tjera. Gjatë periudhës në të cilën subjekti i rivlerësimit ushtron detyrën si gjyqtar, disponohen të dhëna të cilat ngrenë dyshime se ka pasur kontakte me disa persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike/krimin e organizuar, me të cilët ka njohje shoqërore. Gjithashtu, Institucioni i verifikimit ka informuar se, për subjektin e rivlerësimit Arben Dosti, ngrihen dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës, me qëllim lirimin nga burgu të një të pandehuri”, citohet raporti që mban datën 04 shkurt 2022.
Komisioneri Publik thotë gjithashtu se gjyqtari Arben Dosti ka probleme me deklarimin dhe justifikimin e pasurisë, si dhe mangësi të thella profesionale. Kësijoj ai kërkon shkarkimin e tij nga detyra të tij. Më poshtë pjesë nga dokumenti.