Shqipëri-Greqi, qendër e përbashkët policore e doganore në Kakavijë
Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka miratuar projektligjin për një qendër të përbashkët policore dhe doganore me Greqinë.
Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila ka qenë i pranishëm sot në Komision ku ka shpjeguar detaje nga marrëveshje, qëllimin që ka dhe si do zhvillohet.
Mahila bëri një prezantim të detajuar të projektligjit dhe theksoi se qendra e përbashkët policore dhe doganore, do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, migracionin e paligjshëm, etj.
“Akti është paraqitur nga këshilli i ministrave në Kuvendin e republikës së Shqipërisë për miratim. Marrëveshja Shqipëri-Greqi për ngritjen e një qendre të përbashkët për bashkëpunimin policor dhe doganor. Të punuarit sa më afër, është thelbi i kësaj marrëveshje.
Në marrëveshje janë përcaktuar rregullat e përbashkëta për funksionimin e qendrës. Kjo qendër e përbashkët e shkëmbimit të informacionit dhe e koordinimit të bashkëpunimit do pozicionohet në territorin e republikës greke, në ndërtesën aktuale të pikës së kalimit kufitar Kakavijë.
S’ka autoritet në vendimmarrje qendra.Pikë e veçantë është dhe shkëmbimi i veçantë i të dhënave personale. Bashkë me aktin ministria e brendshme ka paraqitur në Kuvend edhe relacionin përkatës. Pjesa re procedurës.
Janë ndjekur të gjitha procedurat konform ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare.
Ministria për Evropën dhe ajo e drejtësisë janë shprehur parimisht dakort. Marrëveshja në parim është miratuar në 4.04 2018 dhe është nënshkruar në 18 janar 2021 në Kakavijë nga zv ministri Hodaj”.
Në fokus të kësaj marrëveshje është shkëmbimi i informacionit për çështje të përbashkëta. Zëvendësministri sqaroi se qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës dhe kjo nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e policore, pasi qendra do të ketë detyra të mirëpërcaktuara dhe të pavarura nga detyrat e organeve doganore dhe policore.
“Funksionimi i kësaj qendre nuk do sjellë mbivendojse me organet doganore policore pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet shkëmbimit të informacionit. Kjo është qendër e përbashkët e shkëmbimit dhe analizimit të informacionit. Kjo qendër trajton të gjithë çështjet dhe elementët që janë të ngjashme për të gjitha kalimit kufitar. Nuk është qendër e kalimit të përbashkët të mjeteve e mallrave. Shkëmbim informacioni për çështje të përbashkëta”.
Ndër të tjera ka sqaruar dhe skuadrën e kësaj qendre që do jetë e përbërë nga 2 grupe, njëra nga pala shqiptare dhe tjetra nga pala greke.
“Nuk ka mbivendosje për çështjet operative, ekzekutive. Zyrtarët e qendrës s’kanë kompetencë dhe s’marrin pjesë në veprime operative që i përkasin policisë apo pjesës së drejtorisë së përgjithshme të doganave. Kjo qendër është përcaktuar të ketë në mënyrë të barabartë 5 zyrtarë nga secila palë. Nga pala jonë është përcaktuar një punonjës policie me gradën nën komisar dhe 4 punonjës policie me gradën inspektor. Angazhimi i tyre është vetëm për grumbullimin dhe shkëmbimin e informacionit”.