Sarandë, mblidhet komiteti drejtues i mekanizmit kundër dhunës
Nën drejtimin e Kryebashkiakut Adrian Gurma, njëherësh edhe Kryetar i Komitetit Drejtues të Mekanizmit Kundër Dhunës, është mbajtur mbledhja e dytë e kësaj strukture.
Ishte një tryezë me prani të mjaft aktorëve të këtij mekanizmi, duke nisur nga institucioni i qeverisjes vendore, nga organi i Prokurorisë, Gjykatës, Përmbarimit e Komisariatit të Policisë, nga Zyra e Arsimit, Zyra Vendore e Punësimit dhe shoqata që operojnë në fushën sociale. Takimi ishte reflektim real ndaj rasteve të shtuara të dhunës në familje, që për këtë vit kanë arritur në 50 në rajonin e Sarandës. Prej tyre 27 janë trajtuar me urdhër mbrojtjeje, ku përfshihen edhe shtetase të huaja, rezidente në Sarandë.
Pjesëmarrësit kanë qenë sensitivë sidomos ndaj rastit më të fundit të abuzimit seksual me të miturën vetëm 13 vjeçe, ku siç dihet, ishte i përfshirë edhe një efektiv policie. Pavarësisht se e abuzuara është akomoduar tashmë në qendrën kombëtare të viktimave të trafikimit, si nga ky rast edhe nga urdhërat e mbrojtjes për viktima të dhunës në familje, u tërhoqën konkluzione për një veprim më të shpejtë të institucioneve, në mbrojtje të tyre, Thekse të veçanta u vunë në nevojën për të bërë më shumë për heqjen e arësyes pse dhuna dhe abuzimi janë pjesë e të përditshmes sonë.
Si shkaqe janë identifikuar varfëria, papunësia etj., për të cilat janë marrë më shumë përgjegjësi, për të ndikuar me programe dhe oferta punësimi, krahas punës sociale e ndërgjegjësuese. U shtrua si nevojë edhe rritja e pranisë së psikologut të licensuar dhe e vendosjes së koordinatorit në institu-cione, pasi ato janë në kohën më të mirë që të përfshijnë këto pozicione në organo-gramën ekzistuese. U tha se kjo do të sjellë rritjen e rolit parandalues e pastaj asistues mbi rastet e dhunës, që paraqiten.
Nga Kryetarët e fshatarave është kërkuar që gjithashtu të jenë më aktivë në parandali-min e këtyre dukurive sociale, pasi ata janë njohës shumë të mirë të situatës reale dhe e kanë detyrim ligjor raportimin e asaj që mundet të ndodhë ose po ndodh në komunitetet e tyre. Për të patur efektivitet në uljen e rasteve të dhunës, u tha se duhen afruar edhe komunitetet fetare.
Ato kanë çdo mundësi që të bëhen ndikues veprimin e tyre, si me kodet morale, ashtu edhe me mbështetje me ndihma për familjet e varfëra dhe proble-matike. Shkolla u identifikua si hallka bazë e ndërgjegjësimit dhe e parandalimit të rasteve të dhunës. U evidentua se shpesh nxënësit janë përballë mentalitetit të prindërve dhe kjo e bën edhe më të vështirë punën e mësuesit.
Por, u kërkua të punohet pa u tërhequr. U la si detyrë që bashkëpunimi i Zyrës së Arsimit me Zyrën Vendore të Punësimit të jetë më funksional dhe të përdoret çdo mundësi për vendosjen e psikologëve të rinj në shkolla, përmes thirrjeve publike dhe shpalljes së kërkesës për specialistë të kësaj fushe.
Takimi i Komitetit Drejtues të Mekanizmit Referues Kundër Dhunës, ishte një indicie e mirë për një bashkëpunim e koordinim më të mirë mes aktorëve të ndryshëm, që janë pjesë e tij.