Një shtëpi si “e ëmbla shtëpi”, që meriton çdo fëmijë
Nga Thoma Nika
Në syrin e çdo kalimtari ka rënë këto ditë një shtëpi e improvizuar si strukturë, me strehë përpara ndërtesës së Bashkisë së qytetit. Shpjegimi i saj nuk lidhet për të bërë një stacion mbrojtës nga shiu i radhës.
Mesazhi i saktë jepet në mbishkrimet dhe në simbolet që gjenden në hapësirën e kësaj Shtëpie, të cilat shpërndajnë apelin e rëndësishëm që çdo fëmijë meriton një familje dhe çdo familje ka nevojë për fëmijë. Është një mesazh që synon të fusë edhe tek ne konceptin dhe praktikën e familjes kujdestare për fëmijë nga familje me pamundësi rritjeje apo shkollimi të fëmijëve biologjikë.
Janë Fondacioni “Save dhe Children” dhe Shërbimet Sociale “Bethany”, që janë bërë promovuese të kësaj ideje, duke gjetur tek Bashkia e Sarandës një partner mbështetës. Së bashku kanë organizuar edhe një veprimtari shpjeguese mbi mundësinë e realizimit në praktikë të konceptit Familje Kujdestare. Nuk është birësim, por marrje në kujdestari e fëmijëve, qoftë edhe nga institucine sociale, siç është Shtëpia e Fëmijëve këtu në Sarandë, për t’u ofruar atyre jetë dhe ngrohtësi prindërore. Kujdestaria shtrihet në kohë derisa ata të rriten dhe, nëse dëshirojnë, janë fëmijët që vendosin të kthehen sërish te prindërit biologjikë. Prandaj dhe ky proces njihet me termin deinstizucionalizim.
Shtëpiza me mesazhet e saj dhe me informacion për rrugën ligjore si arrihet ky deinstitucionalizim, është atje. Pritet që ky organizim të sjellë reagimet e para të prindërve që e kanë ëndërr të parealizuar një fëmijë, por edhe nga çdokush tjetër.
Dhe janë të gjitha mundësitë që ata të bëhen një familje kujdestare.