Me 5 akuza në “kurriz” dhe i shpallur në kërkim, policia Delvinës arreston 47- vjeçarin
Policia njofton se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim S. H., 47 vjeç, banues në Vlorë.
Arrestimi i tij u krye pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, me vendimin e datës 22.11.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Punësimi i paligjshëm”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi gjatë kontrollit në lokalin në pronësi të tij, në lagjen “Sinan Ballaci”, janë gjetur 6 kompjutera dhe 3 televizorë që përdoreshin për lojëra fati.
Në këtë subjekt, shtetasi S. H. kishte punësuar në mënyrë të paligjshme shtetasit I. B. dhe Xh.P., të cilët janë arrestuar në flagrancë në datë 19.11.2021.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.