VIDEO/ Godina kryesore historike e Vlorës (por dhe shtetit shqiptar), kthehet në grumbullim plehrash

Qendra historike e Vlorës ka qenë një nga investimet më të rëndësishme të Qeverisë shqiptare, duke i dhënë qytetit të Vlorës një tjetër dimension, me rikthimin e identitetit dhe vlerave historike që përfaqëson ky qytet.

Rikualifikimi urban i kësaj zone dhe restaurimi i banesave të vjetra e ka kthyer qendrën historike në një pikë të rëndësishme turistike dhe promovuese për qytetin, sidomos për bizneset e vogla që kanë nisur aktivitetin në godinat e restauruara.

Krahas zonës së rikualifikuar që ka prekur faza e parë e projektit, pjesa tjetër e ndërhyrjeve është lënë për faza të tjera.

Në këtë llogjikë shumë nga godinat e vjetra të qytetit janë ende të patrajtuara.

Siç raporton televizioni lokal 6+1 Vlora, njëra prej godinave të vjetra historike në qendër të Vlorës, përveçse është rrënuar, është kthyer në vendgrumbullim plehrash dhe vatër infeksionesh.

Në raportimin e televizionit 6+1 Vlora theksohet se godina është kthyer në vatër injektimesh droge dhe në rrezik infeksioni për shkollën 9-vjeçare që ndodhet pranë.

Kjo godinë nuk është thjeshtë një nga ndërtesat e vjetra të qytetit të Vlorës, por ajo është një monument kulture, e mbrojtur me ligj nga shteti.

Ajo njihet si banesa e formimit të Qeverisë së vitit 1920 dhe ka qenë një nga bazat e drejtuesve të Luftës së Vlorës.

Si e tillë ajo përfaqëson vlera të rëndësishme për historinë tonë kombëtare, një prej momenteve më të suksesshme të historisë bashkëkohore të shtetit shqiptar.

Pavarësisht nga vlerat e saj institucionet rajonale të Ministrisë së Kulturës jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë masë për ndalimin e rrënimit të saj, por nuk tregojnë as kujdesin minimal për pastrimin dhe izolimin e saj.

Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e këtyre institucioneve lokale që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, përveç se po dëmton dhe rrënon gjurmët e rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, po i kthen ato në rrezik për komunitetin.

Nëse monumentet e kulturës në qendër të qytetit të Vlorës janë në këtë gjendje mjerimi imagjinoni se në çfarë gjendje janë ato të periferisë…