Që Çuka të bëhet gati të presë turistë…
Në takim me banorë të Çukës Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se qëllimi është që fondi i menduar për këtë fshat të përdoret në drejtimin e duhur dhe jo ku mund të mendojnë zyrtarët.
Sërish theksi është vënë tek kërkesa për të ndryshuar situata me plehrat dhe tek zgjidhja për të nxjerrë jashtë fshatit lopët.
Banorët kërkuan të investohet për një depo uji dhe të shtrohet rrjeti shpërndarës, që të garantohet furnizimin me ujë të pijshëm.
Po kështu, u kërkua të përmirësohet situata me ndriçimin publik në fshat dhe u sugjerua të investohet për tualete në zonën ku banon komuniteti rom dhe për murin rrethues të varrezave të fshatit e të caktohet një roje atje.
Përfundimi i kanalit ujitës, ishte një tjetër propozim i vlefshëm për ujitjen e tokave. Me marrjen në konsideratë të këtyre propozimeve dhe planifikimin e tyre për projektbuxhetin 2022, të shoqëruara edhe me marrje përgjegjësish nga banorët në Çukë, ajo bëhet lagje e Sarandës edhe në kuptim të nivelit të jetesës.
U premtua se në nivele më të larta do të vihet në rrugën e zgjidhjes problemi i azhurnimit të tokave e të pronave të Çukës, si dhe rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me energji elektrike. U ofruan mundësi edhe për të lehtësuar punime restauruese në banesa, përmes një autorizimi tip që do të nisë të jepet e monitorohet zbatimi nga Bashkia.
Me investimet e vitit të ardhshëm, Çukës i hapen mundësi që të bëhet gati të presë turistë brenda një ose dy viteve të ardhshëm.