Kush e kishte në shënjestër? Grekët zbulojnë detaje nga vrasja gjakftohtë e biznesmenit nga Delvina
Mediat greke kanë zbardhur detaje të reja nga ekzekutimi i biznesmenit shqiptar Marjus Dhiamanti mbrëmjen e së martës në Greqi. Kushëriri i tij, Juxhin Bajrami që u plagos punonte në karburantin që ishte në pronësi të gruas greke me të cilën ishte lidhur 37-vjeçari nga Delvina që mbeti i vdekur.
“Protothema” shkruan se 37-vjeçari ishte vënë në shënjestër të atentatorëve, të cilëve dyshohej se u kishte më shumë se 200 mijë euro borxh. Autorët ishin profesionistë. Gazeta shkruan se “pas vrasjes duket se fshihet mafia shqiptare, e cila donte të mbyllte llogaritë e hapura me plumba dhe gjithçka që ka të bëjë me trafikun e kokainës në Athinë dhe Mikonos”.
“Nga autoritetet shqiptare erdhi një informacion se 37-vjeçari ishte vënë në shënjestër të personave të panjohur, të cilëve dyshohet se u kishte më shumë se 200 mijë euro borxh” shkruan media greke.
Autorët kanë qenë profesionistë, pasi ata kanë lëvizur të qetë pa lënë hapësirë reagimi, ndërsa fakti që pas përfundimit të operacionit kanë djegur mjetin e vjedhur që përdornin tregon se kanë dashur të zhdukin çdo gjurmë për të mos lënë asnjë provë.
Autoritetet greke vazhdojnë hetimet për lidhjet që ka pasur me qarqet e kokainës dhe Mykonos. Në të kaluarën dhe konkretisht në vitin 2010, 37-vjeçari ishte akuzuar për vrasjen e një bashkatdhetari në Kypseli. Mirëpo ai kishte arritur të shpallet i pafajshëm me pretendimin se arma ishte përdorur nga një person tjetër në atë kohë.