Buxheti për Arsimin, deputetja Sarandës: Rama i ka kthyer mësuesit në patronazhistë
Deputetjae Sarandës dhe Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka reaguar lidhur me prezantimin që kryeministri Edi Rama i bëri sot Buxhetit për Arsimin për vitin 2022.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se Rama flet për arsimin sikur ka ardhur sot në pushtet dhe po riciklon premtimet e pambajtura për arsimin.
Deputetja demokrate shprehet se kjo qeveri i ka kthyer mësuesit në patronazhistë.
“Flasin për arsimin sikur kanë ardhur sot në pushtet ndërkohë në 8 vjet vetëm e kanë shkatërruar atë! Rama është kryeministri me aktet me antikombëtare përsa i përket arsimit.
Kanë kthyer mësuesit në patronazhistë dhe shkollat në shkolla partie ku drejtojnë militantë dhe jo profesionistë.
Nuk kanë mbajtur asnjë premtim, as për tekstet shkollore që janë objekt talljesh në rrjetet sociale. As për trasportin e nxënësve dhe mësuesve që janë objekt i peticioneve dhe ndonjëherë edhe shkak për mos shkollimin e fëmijëve shqiptare. Dhe as për trajtimin psiko-social, as për sigurinë në shkolla që ngjarjet tragjike edhe të fundit e konfirmojnë fare mirë!
Premtimin e rritjes së pagës e ricikluan edhe sot nga goja e kryeministrit. Kur paga është qesharake! Kanë premtuar çdo fillim mandati që do e rrisin me 40% si fjalimi i ish ministres Nikolla ne 12 shtator 2017 dhe e kanë rritur realisht vetëm 10 mijë lek te vjetra në 8 vjet.
Asgjë nuk kanë bërë dhe nuk kanë ndermend të bëjnë për arsimin! Gjithë synimet e shfaqura në buxhetin 2022 janë asgjë më shumë se një operacion copy-paste i premtimeve të pambajtura këtyre 8 viteve të shkuara!”– shkruan Zhupa.