Berdeneshi ka radhën për investime të rëndësishme
Berdeneshi ka qenë ndalesa e radhës për dëgjesat publike mbi buxhetin e vitit 2022. “Nuk kemi bërë sa kemi dashur, por sa kemi mundur”, u tha banorëve të pranishëm në takim Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma.
Përmirësimi i furnizimit me ujë dhe energji elektrike, ndërkohë që fshati rritet me shpejtësi, u renditën ndër shërbimet e ofruara më mirë.
Kujdesi për legalizimin e ndërtimeve ka qenë në rritje dhe 39 familje kanë gati çertifikatat e pronësisë së tokës. Banorët që morën fjalën përgjithësisht ishin realistë në vlerësimin e atyre që janë bërë.
E megjithëkëtë ishin kërkues për më shumë vëmendje dhe shërbime komunitare.
Ata folën dhe kërkuan të kenë ndriçim publik më të mirë e të shtrirë deri në shtëpitë e fundit në fshat, të mos u pakësohet uji në verë, t’u jepen mjaftueshëm kosha mbetjesh urbane, të vendosen tabela në rrugë, për të shmangur aksidentet dhe të kenë akses për ndërtime edhe me vërtetime hipotekore.
Në përgjigje të kërkesave kryesore, u tha se tani është radha e Berdeneshit për investim serioz për ujin e pijshëm, duke bërë linjën Çukë-Berdenesh.
Po kështu, u dha drita jeshile për aplikim në urbanistikë me vërtetim hipotekor dhe u ftuan banorët që të bëhen përdorues të 120 ha kullota, që janë pronë e bashkisë.
Për mjedis të pastër në fshat, u tha se koshat e mbetjeve do të shtohet, por duhet shtuar shumë edhe përgjegjshmëria dhe penaliteti për çdo përdorues të keq të fondeve për pastrimin apo shpërdorues të infrastrukturës që vihet në dispozicion.