Aeroporti i Sarandës një nga 7 koncesionet në buxhetin e vitit të ardhshëm

“Ndërtimi dhe operimi i aeroportit të Sarandës; ndërtimi; operimi dhe mirëmbajtja portit të integruar “Triport Vlorë”; dhënia me koncesion e një segmenti rrugor Milot-Fier në Autostradën Adriatiko-Joniane; dhënia me koncesion/PPP e infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore; për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës së çelësave publik PKI; për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rekreative të blloqeve të banimit në disa lagje të qytetit Elbasan dhe rritja e Sigurisë Rrugore”.

Këto 7 kontrata koncesionare të parashikuara në projektbuxhetin e 2022, sipas ministres së Financave janë vendosur si parashikime buxhetore por jo domodoshmërisht do të nisin vitin e ardhshëm.

“Janë vendosur aty për efekte parashikueshmërie por ne nuk kemi asnjë njoftim nga këto institucione që do të nisin në 2022”.

Gjithsesi Ibrahimaj thotë se pagesat për koncesionet e filluara me parë, si rruga e Arbrit, koncesionet në shëndetësi apo ajo e inceneratorëve, për vitin e ardhshëm janë parashikuar të jenë më të ulëta.

“Për vitin 2022, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% e të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2021, është rreth 22.95 miliardë Lekë, por vlera e parashikuar për t’u paguar është 13.8 miliardë Lekë ose 3 3 për qind të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2021, prej rreth 459.1 miliardë Lekë”.

E pyetur nga deputetët në komisionin e Ekonomisë Ibrahimaj shpjegon se sektorët mbi të cilat është bërë dhe parashikim për rritjen ekonomike për 2022 janë: bujqësia, industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjisë.