Adrian Gurma për Zërin e Amerikës: Këtë vit turizmi në Sarandë si ai i vitit 2019
Vjeshta ka ardhur në Sarandë, qytetin bregdetar me më shumë ditë me diell në vit të Shqipërisë. Sezoni turistik po mbyllet dhe ky vit sipas autoriteteve vendore ka sfiduar vështirësitë e pandemisë duke i rikthyer prurjet turistike gati si ato të vitit 2019.
Kryetari i Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma thotë për Zërin e Amerikës se rritja e prurjeve lidhet kryesisht me turizmin nga Kosova dhe vendet e rajonit.
“Ka pasur një prurje të lartë turistësh, kryesisht nga vendi por edhe rajoni që ka rritur ndjeshëm edhe cilësinë, edhe mënyrën e shërbimit të gjithë operatorëve dhe faktorëve që ofrojnë turizëm në qytetin tonë”, thotë ai.
Zoti Gurma thotë më tej se përmirësimi i shërbimeve turistike nga mbi 3.000 biznese ku rreth 840 janë struktura akomoduese ka shërbyer për rrijen e ofertës turistike.
“Është shumë e rëndësishme që turistët të gjejnë jo vetëm ata çka natyra i ka afruar Sarandës me bujari, por edhe të gjejnë një shërbim dhe cilësi, patjetër edhe mikëritjen e oeperatorëve turistikë që veprojnë në territoruin e bashkisë Sarandë. Unë do të thoja që fasha e turistëve ka qenë kryesisht vendas dhe nga rajoni ku vendin e parë e ka zënë Kosova. Nga vendet e Lindjes kanë qenë turistët ukrainas ata që kanë qenë në vendin e parë ndryshe nga vitet më parë ku kanë mbizotëruar polakët”, thotë zoti Gurma.
Por Pandemia ka sjellë një mungesë të turistëve nga vendet nordike dhe hapja e vonuar e pikave kufitare me Greqinë për shkak të pandemisë ka qenë gjithashtu nëj sfidë për lëvizjen turistike.
“Realisht hapja e vonuar e kufirit ka ndikuar. Megjithatë në fazën e dytë të sezonit në gjysmën e dytë të korrikut dhe periudhën e gushtit ardhja e turistëve ka qenë në mënyrë të kënaqshme dhe unë do të thoja me shumë kënaqësi që këtë vit ne kemi arritur nivelet e vitit 2019. Etaloni jonë është pikërisht ky vit kur Saranda ka shënuar rritjen më të madhe turistike në vite pasi 2020 ishte një vit i ëvshtirë nga padnemia me problematika në të gjitha aspektet”, thotë zoti Gurma.