Nga terminali autobusëve në Qafë Gjashtë ndërhyrje te Parku “Miqësia” dhe rruga “Skënderbeu”, projektet që do transformojnë Sarandën
Saranda do të vazhdojë të jetë përfituese nga projektet e Bankës Botërore, orientuar në infrastrukturë.
Pas projektetëve të shkallareve dhe atij të shetitores, propozohen permiresime të tjera në infrastrukturën e Sarandës.
Këtë kishte në fokus dëgjesa publike që u organizua nga FSHZH dhe Bashkia Sarandë, mbi “Projekte të Detajuara për Përmirësimin Urban të Integruar dhe për Portën Sarandë”.
Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma ka falenderuar për pjesëmarrjen përfaqësues të shoqërisë civile, specialistë të fushës, këshilltarë bashkiakë dhe operatorë të biznesit etj.
Ai tha se ka shumë rëndësi prania në prezantime të tilla, që tashmë janë traditë, por edhe se është nevojë dëgjimi i zërit të grupeve të ndryshme të interesit për investime që impaktojnë të gjithë, për të mos ndodhur si më parë, kur projektet janë kontestuar kur ato kanë qenë në proces zbatimi.
Paneli i dëgjesës është përbërë nga specialistë të FSHZH dhe bashkimit të studiove projektuese, si: Symbiotika, Mobility in Chain, Sweco e Infraconsult.
Në cilësinë e team liderit të projektit, zonja Ulrike Bega bëri prezantimin e pjesëve më të rëndësishme përbërëse të projektit.
Ai ka disa fokuse, si: Rruga e Tregtarëve ose Rruga “Skënderbeu”, lidhja me rrugë dhe shkallare mes plazheve të Lagjes Kodër, projekti i një terminali të autobusëve në Qafën e Gjashtës, ndërhyrje te Parku “Miqësia” etj.
Rreth konceptit të prezantuar pati pyetje dhe sugjerime nga mjaft prej të pranishmëve në dëgjesë. Kjo ishte dëgjesa e parë, në serinë e disa të tillave që është programuar të bëhen me publikun, deri në nisjen e zbatimit të projekteve.
Zbatimi i tyre pritet të sjellë përmirësime në zhvillimin e integruar urban të Sarandës për vitet që vijnë.