Butrint, projekt për restaurimin e pusit të Junia Rufinës

Specialistë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore kryen ditët e fundit një inspektim në parkun Kombëtar të Butrintit, 20 km larg Sarandës.

Inspektimi u krye pas sinjalizimit nga specialistët e Parkut Kombëtar të Butrintit rreth problematikës së shfaqur në park, ku ka patur çedim të murit pranë pusit të Junia Rufinës.

Gjatë këtij inspektimi specialistët e IKTK-së evidentuan dëmtimet në strukturën e murit, si edhe verifikimin e elementëve të nevojshëm, për të vijuar më tej edhe me hartimin e projektit të restaurimit.

Pusi i Junia Rufinës ndodhet në veri të gadishullit të Butrintit, brenda rrethimit të Portës së Luanit.

Ky pus dikur ka patur një burim uji të freskët që dilte nga një e çarë në shkëmbin natyral, duke hedhur idenë e një pusi të shenjtë.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.