PS, analizë për “Bastin e Kuçit”/ Rama kërkon llogari se përse nuk u arrit maksimumi 78 mandate në zgjedhje
Edi Rama mundi të fitojë vetëm pjesën e parë të bastit publik, firmosur në atë që e quajti “Memorandumi Kuçit” duke fituar 74 mandate nga 78 që synonte si objektiv maksimal, në zgjedhjet e 25 Prillit.
Paraditen e kësaj të marte, këtë ia kërkoi edhe të besuarve të tij shumica ish ministra, ulur në tryezën e sekretariatit socialist, gjë e cila u pohua edhe nga noteri “Memorandumit të Kucit”, Damian Gjiknuri tashmë i graduar si sekretar i përgjithshëm i PS.
Gjiknuri: Në fillim me analizat post-zgjedhore, të cilat janë shumë të nevojshme për të marrë një “feedback”real nga terreni, por njëkohësisht edhe për të ristrukturuar partinë, në një mënyrë të tillë që të përballojë sfidat në mandatin e tretë. Analiza do të zgjasë deri në fund të vitit. Fillimi i vitit do e gjejë Partinë Socialiste me një statut të ri dhe ri-organizim të ri për t’iu përgjigjur sfidave që kërkon mandati i tretë.
Socialistët kanë nisur të mendojnë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërsa synimet i kanë edhe për mandatin e katërt. Për këtë arsye ajo që u quajt rilindje e dytë e PS nisi me emërimet e reja të sekretariatit dhe rokadën e drejtuesve politik të partisë në 12 qarqe.
Rilindja e dytë e Edi Ramës synon edhe rifreskimin e elektoratit tradicional, me mbështetës të rinj, për mos ta kthyer PS siç tha vetë ai në një azil pleqsh.