Nga Saranda deri në rrugën e Kombit, policia arreston 9 persona dhe vendos qindra gjoba

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore nacionale, në zonat bregdetare, në zonat urbane e akset që lidhin njësitë administrative, duke përdorur radarë, dronë e patrulla të lëvizshme, të pajisura me automjete, të pauniformuara, kamera e aparatë fotografike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Si rezultat i kontrolleve me radarë , në të gjitha rrugët e vendit janë konstatuar përsëri drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë pezulluar 25 leje drejtimi për shpejtësi që varionin nga 102 km/h në qendrat e banuara, deri në 157 km/h në rrugët interurbane.

Si dhe janë vendosur 278 masa administrative nga 2.000 deri në 4.000 lekë të rinj, për shpejtësi deri në 30 km/h më shumë nga tabela e lejuar.

Janë vendosur 305 masa për parakalime të gabuara dhe 203 masa për përdorim të aparatit celuar gjatë drejtimit të mjetit, 198 për mos përdorim të rripit të sigurimit, 91 për mos përdorim të kaskës mbrojtëse.

Janë arrestuar në kushtet e flagrancës, 9 drejtues mjetesh nga të cilët, 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 21 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit që varionte nga 0.31 mg/l deri në 0.45 mg/l.

Si dhe janë vendosur 56 masa administrative nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, që varionte nga 0.06 mg/l deri në 0.29 mg/l.

Policia e Shtetit, nisur nga fakti i prerzencës së lagështirës në rrugë dhe fluksit akoma të lartë të automjeteve apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve : Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos përdorni celularin në timon, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, mbroni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, zbatoni rregullat e qarkullimit që të arrini të sigurtë në destinacion, mos u bëni statistikë!

Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, e nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane, ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparatë fotografik.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.