Gjyshërit nga Delvina tregojnë bisedën e fundit me Evgjeni Baxhon: Më tha jam mirë, zonja e shtëpisë…
Për ‘Shqipëria Live’ familjarët e Evgjeni Baxhos, 23-vjeçares që ka ndërruar jetë disa muaj më parë, e që në trup iu gjetën disa simbole të padeshifrueshme, por ende nuk është zbardhur dinamika e ngjarjes.
Babai i saj tha se ende sot e kësaj dite nuk kanë asnjë informacion se si ka ndodhur ngjarja, ndërsa tha se Evgjeni ishte një vajzë që mësonte dhe ishte krenar për të.
“Duhet të dimë kë takojnë këta, çfarë të rinjsh marrin në qafë. I bëj thirrje opinionit, familjarëve, gjykatësve, prokurorëve të jenë të vëmendshëm, të bëjnë punët e veta dhe të zbardhet çdo ngjarje. Nuk kishim dyshime që Evgjeni po ndiqte sekte të tilla. Mosha ishte e madhe, kishte personalitetin e saj dhe mësonte shumë, isha krenar që më thoshin se ke një vajzë të zgjuar. Nuk mund të jem ekspert, por e vërteta duhet të zbulohet, nuk dimë se çfarë ka ndodhur akoma nuk e dimë. Të paktën të dimë se çfarë ka ndodhur”, tha babai i të ndjerës.
Ndërsa gjyshi i Evgjeni Baxhos, i cili e kishte rritur, pasi vajza prindërit i kishte të ndarë, tha se disa ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë vajza i kishte shkuar në shtëpi por nuk kishte ngrënë bukë. Kjo i kishte bërë përshtypje gjyshërve, por e kishin kaluar. Ai tregon edhe telefonatën e fundit me të. Vajza i kishte kërkuar një raport mjekësor dhe pasi gjyshi e kishte marrë, vajza i kishte thënë që të mos ia dërgonte sepse e kishte rregulluar punën me doktorin e lagjes ku banonte në Tiranë.
“Vajza nuk shahej. Unë e kam marrë 5 muajshe dhe e kam rritur vetë. Nuk e kuptoj se si ndodhi, asnjë përgjigje s’na kanë dhënë. Nuk dimë gjë fare se nga erdhi. Në familje dhe shoqëri ishte shumë korrekte. Kam shkuar 3-4 herë në Prokurori dhe nuk e dinë si ka ardhur. Në darkë fola me vajzën më tha: ‘jam mirë, më erdhi e zonja e shtëpisë më solli një pjatë supë’. Në mëngjes e mora në telefon dhe s’mu përgjigj. Pastaj e kishin gjetur nga ora 8 në banjë.
Në datën 1 maj e kisha vajzën e shtëpi s’më pëlqeu në të ngrënë, por natë për natë flisja në telefon dhe dy ditë para se të ndodhte kjo më tha a ka mundësi të më nxjerrësh një raport mjekësor. Ia nxora raportin por pastaj më tha mos ‘ma dërgo se ky doktori lagjes pranoi kërkesën time dhe më dha raport. Nuk më vendosi dorë, por më dha raportin e ik më tha se s’ke gjë’. Këtu kur takoheshim si zakonisht, fliste, na përqafonte, qeshnim”, tha gjyshi.
Ndërsa gjyshja e të ndjerës, mes lotësh, kërkon që të dijë se nga se vdiq mbesa e saj, për të cilën thotë se pavarësisht fizikut të dobët, ka qenë shumë e shëndetshme.
“Dua ta di si vdiq. Qe e dobët fizikisht por qe e shëndetshme”, thotë gjyshja.