BORSH-Pika e re e grumbullimit bujqësor, me impakt në ekonominë lokale
Nga Etleva XHAJANKA
Vitet e fundit sezoni i mbarë për prodhimet bujqësore, për shkak të motit, investimeve në zgjerimin e sipërfaqeve me serra, por dhe rritjes së konsumit të prodhimit vendas, ka shtuar interesin për shtimin e tregjeve bujqësore në rajone të ndryshme të vendit.
Prodhuesit, përpunuesit dhe eksportuesit shprehen se bujqësia po orientohet drejt tregut dhe investimet në qendrat e grumbullimit apo merkatot e shitjeve me shumicë po avantazhojnë zhvillimin e këtij sektori duke nxitur agroturizimin dhe ekonominë lokale.
Me një fond mbi 8 milionë lekë, bashkia Himarë në jug të vendit ka shpallur tenderin për ndërtimin e qendrës së re të tregut të prodhimeve bujqësore në Borsh.
“Ky objekt do të grumbullojë shitësit ambulantë, do të ulë problematikat e gjetjes së vendeve të shitjes dhe do të rregullojë çmimet e tregut. Gjithashtu, banorët e zonës por jo vetëm, turistët dhe vizitorët e ndryshëm do të mund të kenë një vend ku të shohin produktet e larmishme vendase me çmimet përkatëse”, thuhet në dokumentin që shoqëron këtë projekt.
Pikat e grumbullimit apo tregjet bujqësore, shoqëruar edhe me kapacitete frigoriferike u vijnë në ndihmë fermerëve të zonës për shitjen e prodhimeve, duke u garantuar atyre çmime optimale si edhe duke furnizuar tregun vendas me fruta të freskëta në çdo stinë, falë mbajtjes së tyre në atmosferë dinamike gjatë cikleve të prodhimit.
Ndërtimi i tregut të ri bujqësor në Borsh, do të jetë një vlerë e shtuar edhe për sektorin e turizmit me impakt të ndjeshëm në përmirësimin e ekonomisë së fermerëve por edhe të ekonomisë lokale, për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe pushuesve që frekuentojnë zonën e mrekullueshme të Borshit, veçanërisht gjatë sezonit veror.