Rama: Vijon puna në tunelin e Skërficës, vepra më e rëndësishme e aksit të ri kombëtar Kardhiq-Delvinë
Tuneli i Skërficës, pjesë e aksit të ri rrugor Kardhiq-Delvinë, është hapur plotësisht pas përfundimit të gërmimeve në të gjithë gjatësinë e tij dhe tashmë po punohet për plotësimin e të gjithë elementëve të tjerë të nevojshëm të kësaj vepre.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Tunelit të Skërficës, vepra më e rëndësishme e aksit të ri kombëtar Kardhiq-Delvinë.
“Mirëmëngjes dhe me energjinë pozitive të punës që vazhdon në kantierin e tunelit të Skërficës, vepra më e rëndësishme e aksit të ri kombëtar Kardhiq-Delvinë, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Tuneli i Skërficës me gjatësi 1316 metra është një nyje lidhëse e rrugës strategjike Kardhiq-Delvinë, me ndikim në zhvillimin e turizmit në bregdetin e jugut dhe Sarandës.
Rruga Kardhiq-Delvinë është një nga akset më të rëndësishme në ndërtim, që lidh bregun e Jonit me Gjirokastrën e Tepelenën.
Me një gjatësi prej 33 km, rruga Kardhiq-Delvinë do të jetë një nga indikatorët e rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë të tregut, sidomos turizmit.