Udhëtim drejt Greqisë? Qytetarëve shqiptarë nuk u njihet testi i shpejtë, kaos në Kakavijë
Covid-19 vazhdon të mbajë peng udhëtarët nga Shqipëria drejt shtetit helen. Së fundmi mësohet se në Pikën Kufitare të Kakavijes udhëtarët nuk janë lejuar nga pala greke të vazhdonin udhëtimin në shtetin fqinj.
Shkak për këtë është bërë testi i shpejtë që kishin kryer në Shqipëri. Ekipi i EODY, sipas informacioneve, nuk i njeh testet e shpejta duke iu kërkuar udhëtarëve kryerjen e një testi të shpejt në moment.
Sipas burimeve nga pala greke, mësohet se kjo gjë ka ndodhur pasi ka disa laboratorë privatë në Shqipëri që kryejnë testin e shpejtë, por nuk kanë certifikimin e nevojshëm në testet specifike. Organet e vetme që kanë teste të shpejta të certifikuara janë spitalet publike. Fakti që testet e shpejta nuk njihen i detyron udhëtarët të kryejnë testin PCR.