Rama: E gjithë policia e Sarandës duhet shkarkuar dhe të ndiqen penalisht
Me gjuhë të ashpër kryeministri Edi Rama e drejtoi gishtin nga policia e Shtetit në lidhje me plagosjet dhe të shtënat në lokale në zonat bregdetare. Rama u shpreh se pronarët e këtyre lokaleve që sfidojnë ligjin dhe shtetin i kanë kthyer shefat e komisariateve në tutorë të veprimtarisë së tyre dhe i tërheqin për hunde.
Rama u ndal tek rasti i Sarandës, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i plagosur një turist dhe një biznesmen duke theksuar se nuk duheshin kaluar me vërejtje por me përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të zinxhirit drejtues.
“Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë dhe jo me masa ordinere. Përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të personave përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për sakatimin e njerëzve në lokal në 1 të natës, përveç atyre që e kanë lejuar.
Një sfidë ndaj ligjit dhe qytetarit të mirë. Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë policinë e shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë apo se dy palë futen në konflikt në 1 të natës“, tha Rama.