Arrestohet në Sarandë punonjësi i IKMT në Himarë

Një  36-vjeçar me inicialet M. N., me detyrë punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Himarë është arrestuar sot në Sarandë.

Kjo pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi i policisë:

Specialistet e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin M. N., 36 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Himarë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit R. H. dhe E. Z. (të arrestuar më parë) dhe Dh. B. (i shpallur në kërkim), ish punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë, gjatë muajit maj ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e bashkisë Himarë.