Ndërtimet pa leje në bregdet, në total 35 objekte të shembura në Ksamil e Sarandë
Inspektoriati kombëtar i mbrojtjes së territorit vijon aksionin e prishjes se ndërtimeve pa leje në Ksamil dhe Sarandë. Deri më tani janë shembur 35 godina të cilat ishin ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Në këto çaste aksioni është spostuar në zonën e Gjirit të Manastirit ku do të shembet një hotel.
Pronari i një hoteli dy-katesh që do të shembet sot në Sarandë, tha për Euronews Albania se e kundërshton këtë vendim për prishjen e objektit që ka në pronësi. Bashkia e Sarandës, në ambientin ku ndodhet ky hotel ka lajmëruar se do të ndërtohet një objekt tjetër, më strategjik në raport me turizmin.
Qytetari theksoi se Bashkia kërkon të shembë hotelin e tij me pretendimin se mungon leja e ndërtimit, mirëpo ai vetë thotë se hoteli që është ndërtuar që përpara 22 vitesh, ka pasur çdo dokument të rregullt.
“Objekti është ndërtuar që në vitin 1999, me leje ndërtimi, studim trualli dhe çdo gjë të rregullt. Para dy vitesh filloi procesi i vendosjes së plazhit për zhvillim turistik dhe kanë vendosur të na shembin që të ndërtojnë këtu një rezort të madh, fshat turistik. Jemi në dy gjyqe për të kundërshtuar këtë vendim. Një proces me AZHK-në që revokoi lejen e legalizimit dhe me Bashkinë Sarandë e cila në mënyrë të padrejtë vjen që të shembë objektin”, u shpreh pronari i hotelit”, u shpreh pronari i hotelit.