“Me Edin dhe bekimin e Zotit”, Fatos Nano mesazh socialistëve: Qëllofshi gjithmonë në shenjë
Kongresi i Partisë Socialiste që po zhvillohet në stadiumin “Air Albania” është hapur me një video-mesazh të ish-liderit, Fatos Nano.
Teksa i uronte fitoren e zgjedhjeve të 25 Prillit, Nano shprehej se kjo ishte një frymëmarrje e re përtëritëse e partisë që ai ka drejtuar për vite me radhë.
Në video-mesazh, Nano theksonte se ka besim të plotë te kryeministri Edi Rama se do të përmbushë betimin historik të PS-së.
“Të dashur bashkëmoshatar, kështu ju quaja vitet e para apo jo. Në vitet kur së bashku e bëmë PS forcë të parë në Shqipëri, sot jemi në një 30-vjecar me apo pa thinja.
Në 3 dekada kemi ditur të ripërtërijmë vetveten dhe të përballemi me sfidat e zhvillimit dhe për të ecur me hapin e kohës.
Prandaj jemi sot e vetmja forcë politike në Shqipëri që mendon globalisht dhe vepron lokalisht,
Me solidaritet ne ditëm dhe mundëm të formojmë lidershipe të reja, përshëndetje Edi.
Të kalonim stafetën nga etërit dhe bijtë duke mbajtur pararojë të shoqërisë shqiptare një forcë shumë brezash e cila po evropianizon Shqipërinë me energjinë e rinisë dhe pjekurinë e veteranëve.
Natyrshëm jemi infektuar dhe ne nga sëmundjet dhe epidemitë politike të tranzicionit. Ama kemi ditur ta përballojmë më mirë se çdokush tjetër.
Sprova jonë e vitalitetit dhe sfidës ndaj kohës kur jo të gjithë ndryshojnë për mirë, është fitorja e mandatit të 3 resht qeverisës, një frymëmarrje e re kjo përtëritëse.
Jam gëzuar si asnjëherë më parë për këtë fitore të jashtëzakonshme. Le të vazhdojmë reformat, për ta ngritur Shqipërinë në standardet e Bashkimit Evropian për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit.
Ky është misioni ynë historik dhe sfida jonë me kohën dhe vetveten!
Askush tjetër nuk mund ta përmbushë këtë mision, për të arritur këtë pikë të pakthyeshme gjithçka kemi bërë do të mbetet punë e papërfunduar dhe rrezikon të humbasë.
Unë kam besim të plotë që me Edi Ramën dhe bekimin e zotit do ta përmbushni këtë betim historik.
E gëzofshi përvjetorin e pjekurisë, të vazhdojnë vitet dhe ditët e bardha për Shqipërinë dhe brezat e ardhshme që vijnë.
Rrofshi e qëllofshi gjithnjë në shenjë!”, u shpreh Nano.