Kalasa e Delvinës, 30 vite pa qendër shëndetësore: Që në kohë të Enverit…
Kanë infermiere po jo qendër shëndetësore. Banorët e fshatit Kalasë të Delvinës prej disa vitesh detyrohen të marrin mjekim tek shtëpia e infermieres. Godina ku dikur merrni shërbime shëndetësore është shkatërruar.
“E kemi pasur qe para 30 vitesh atë qendër por tani nuk funksionon. Kemi një grua shumë të mirë, na shërben i vemi atje por edhe kur kemi ndonjë hall vjen ajo. Por e mira është të vejë në qendrën shëndetësore” tha Ajaz Muzhaj.
“Keq e kemi, një infermiere që kemi i vemi në shtëpi, e kemi qendrën po duhet të rregullohet, që në kohë të Enverit nuk funksionon, ka pasur maternitet, spital, kanë lindur fëmijë ka pasur mami, tani është prishur” tha Kali Çepe.
Banorët thonë se kanë nevojë dhe për mjekë. Kali Çepe tregon se pak ditë më parë ka kaluar një natë të vështirë, priti të zbardhë që të shkonte në spitalin e Sarandës.
“Jam gdhirë tërë natën jashtë me kriza në veshka, me gurë në kanal të ujit e unë nuk kisha kush të më ndihmonte isha vetëm. Në mëngjes gjitonët më çuan në Sarandë” tha më tej Kali Çepe.
“Të vijë edhe një doktor 2 a 3 herë në javë” kërkoi Ajaz Muzhaj. Kryeplaku i fshatit Xhani Cama që prej ditës që ka marrë këtë detyrë thotë se ka kërkuar që të ngrihet një qendër shëndetësore. Po përgjigje ende nuk ka marrë.
“Prej 2 vitesh, kam bërë një kërkesë që kur kam marrë këtë detyrë dhe nuk kemi marrë ndonjë përgjigje akoma shpresojmë edhe presim të na vijë ndonjë përgjigje nga bashkia ose edhe ndonjë investim për ta rregulluar qendrën shëndetësore” tha kryetari i fshatit Kalsë Xhani Cama.
“Do t’i luteshim po të na jepte një dorë, do ti lutemi se tani ka ardhur koha të lutemi se shteti e di këtu e 30 vjet por nuk ka marrë ndonjë masë” tha Nimet Xhaferi.
Banorët e Kalasës janë kryesisht të moshuar dhe tregojnë se rrugët i kanë rregulluar me kursimet e tyre. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse nuk kërkojnë asgjë me shumë vetëm, qendër shëndetësore dhe një mjek.