Balluku inspekton punimet në bypass Vlorë: Agazhim maksimal për t’a hapur në 15 korrik
Në bypass-in e Vlorës po punohet me ritme të larta për të bërë të mundur që ky segment të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve duke nisur nga data 15 korrik. Krahas punës për përfundimin e veprave të artit, po punohet njëkohësisht edhe me asfaltimin si dhe vendosjen e sinjalistikës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ndoqi nga afër punimet që po bëhen në këtë vepër, duke u ndalur veçanërisht tek ura numër 4, ku tashmë ka përfunduar ndërtimi i nënstrukturës së saj dhe po punohet për montimin e trarëve.
Për mbarëvajtjen e qarkullimit të automjeteve, është përgatitur edhe plani i menaxhimit të trafikut, ku në disa pika të segmentit do të jetë e stacionuar policia rrugore, për të garantuar një qarkullim sa më të sigurtë.
“Jemi angazhuar për të kapur datën 15. Ajo që është shumë e rëndësishme është që ne kemi kërkuar bashkëpunimin e policisë rrugore, që zakonisht nuk na e kanë kursyer mbështetjen, pasi kjo është një rrugë e re, është rrugë shpejtësie dhe detyrimisht për shkak se është një rrugë provizore, do të na duhet që Policia Rrugore të na japë një suport përsa i përket kësaj lëvizje dhe për të pasur kushte më të larta të sigurisë rrugore. Unë shpresoj që problematika teknike të mos kemi, të cilat na nxjerrin jashtë programi”, u shpreh ministrja Balluku.
Hapja e këtij segmenti pritet të lehtësoj trafikun pasi do të jetë një alternativë më shumë për drejtuesit e automjeteve për të aksesuar bregdetin e jugut, ndërkohë që i gjithë aksi do të jetë i pajisur me sinjalistikën e nevojshme duke rritur sigurinë rrugore.
“Unë shpresoj shumë që ta hapim këtë rrugë në mënyrë provizore, duke ruajtur të gjithë parametrat dhe gjithçka tjetër që është e rëndësishme përsa i përket sigurisë rrugore, për t’i dhënë një frymëmarrje lëvizjes në jug të vendit. E kemi parë fatkeqësisht gjatë fundjavave të fundit, që ngarkesa ka qenë shumë e madhe. Sigurisht Vlora do të vazhdojë të përdoret si rrugë, sepse janë të gjithë turistët që qëndrojnë në qytetet apo që shkojnë në Rradhimë, por të paktën të gjithë ata qytetarë, vizitorë apo turistë të huaj, që kërkojnë të aksesojnë jugun do të përdorin këtë rrugë, kështu që minimalisht trafiku do të ndahet në dy pjesë dhe nuk do të kemi atë problematikë që kemi pasur”, nënvizoi Balluku.
Nga ana e tij drejtori i ARRSH theksoi se punimet po ecin me ritme të mira, teksa kanë marrë zgjidhje edhe problematikat e evidentuar sa i takon kryesisht gjeologjisë.
“Nuk kemi problematika teknike. Kemi filluar vijëzimin horizontal i cili është i përkohshëm, që është ndarja e korsive. Jemi duke ecur mirë me ritmin. Kemi arritur në vendosjen e trarëve për pjesën e urës. Kemi përfunduar dy kampata dhe jemi duke vendosur trarët për kampatën e tretë, ndërkohë që kemi filluar dhe betonimin. Nga kilometri 19 në drejtim të kilometrit 10 jemi duke punuar me mbushjet, me terameshin, me asfaltimet, pastrimin e skarpateve”, sqaroi Berberi.
Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë, për të përfunduar në lindje të qytetit të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë.