Ambasadori gjerman takon Adrian Gurmën: Gjermania mbështet Sarandën në projekte të rëndësishme
Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf, është takuar ditën e sotme me kryetarin e Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma në kuadër të bashkëpunimit gjermano-shqiptar në Sarandë.
Ambasada gjermane në Tiranë bën me dije se ata vizituan sot impiantin e vjetër të depozitimit të mbetjeve dhe progresin e bërë në kantierin e ndërtimit të impjanit të ri.
“Në ditën e dytë të vizitave të tij në Jug të Shqipërisë, Ambasadori Peter Zingraf vizitoi projekte të tjera në Himarë dhe Sarandë, të cilat promovojnë mbrojtjen e mjedisit dhe të klimës.
Ndër të tjera, ai vizitoi së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, vendin e ri të riciklimit pranë Sarandës, në të cilin ndahen dhe përpunohen më tej materialet e riciklueshme, në vend që ato të përfundojnë në det.
Përveç kësaj, të dy vizituan ujësjellësin, sepse furnizimi me ujë të cilësisë së lartë është qëllimi ynë i përbashkët!
Të dy projektet mbështeten nga GIZ Albania në emër të Qeverisë Federale Gjermane”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.