Delvinë, biznesi i vogël përballet ende me probleme
Në bashkinë e Delvinës, biznesi i vogël po vijon të përballet me vështirësi të cilat krijoi pandemia covid-19 . Edhe pse situata ka ndryshuar për shkak të fushatës së vaksinimit që ka liruar pak më tepër masat dhe kufizimet në të gjithë vendin, sërish në Delvinë të ardhurat e administratorëve të bizneseve të vogla ende nuk kanë pësuar rritje.
Ata thonë për rtsh-Gjirokastra se po mundohen të mbijetojnë dhe të mos i mbyllin bizneset e tyre me shpresen se stina e verës do ta ndryshojë këtë gjëndje me ardhjen edhe të turistëve .
“Me këtë biznes e mbaj familjen , është shumë e vështirë , masat janë liruar por përsëri nuk kemi xhiro në dyqanin tonë”, shprehet një administrator.
“vetëm presim me padurim muajt e verës , kanë nisur të vijnë vizitorë por ende janë të paktë dhe nuk kanë ndikim të madh. Ne duam që të ndryshojë kjo situatë dhe të mund të rimëkëmbemi”, thotë një administrator tjetër.
Pandemia në bashkinë e Delvinës mbylli një numër të konsiderueshëm biznesesh jo vetëm në qytet por edhe në zonat rurale.