Bien në pranga Kryeinspektori dhe inspektori i IMT-së Himarë
Kryeinspektori dhe një inspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Himarë kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme, si dhe janë shpallur në kërkim dy inspektorë të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se dyshohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.
Kanë rënë pranga personi me inicialet R. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë dhe 30-vjeçari me inicialet E. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim M. N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.