Arrestohen 5 roje bregdetare të Forcës Detare në Vlorë
Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar 5 roje bregdetare të Forcës Detare në Vlorë pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën dhe për këtë akuzë, prokuroria ka kërkuar arrest me burg për ata.
Personat e ndaluar janë shtetasit Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, Sejfulla Beja, Besmir Mece, të gjithë banues në Vlorë.
“Këta shtetas u ndaluan pasi gjatë operacionit për goditjen e tentativës për kontrabandim në drejtim të Italisë̈, të migrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e Vjosës, ( 8 Janar) dyshohen se gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë personave të evakuuar gjatë operacionit, konkretisht drejtuesin e mjetit lundrues (gomone), i cili ka mundur të largohej, shtetasin E. L.(A.), një ndër tre të arrestuarit nga Policia, në muajin janar”, ka bërë të ditur policia.
Kanë qënë dëshmitë e 47 Sirianëve, 7 iranianëve dhe 1 egjiptian që kanë hedhur dritë mbi ngjarjen. Në fashikujt hetimorë të dosjes thuhet se mbrëmjen e 8 Janarit, udhëtimi i këtyre shtetasve drejt brigjeve në grykëderdhjen e Vjosës zgjati rreth 30.min.
Ata u ndihmuan të imbarkoheshin në anije nga tre shtetas shqiptar, pa u lagur. 20 minuta më vonë pasi mjeti doli në det të hapur gomonia 7 metër si pasojë e dallgëzimit u fundos pjesërisht. Shqiptarët të bord, i urdhëruan të kërkonin ndihmë tek autoritetet. Të cilat i evakuuan 2 orë më vonë me anijen e Rojes Bregdetare ” Bora”. Hipën të gjithë në anije thanë Sirianët, shqiptarët qëndruan në dhomën e drejtuesit të anijes. Por 100 metra larg kalatës së portit të veshur me jelek “salvagente” portokalli u hodhën në det.
Drejtuesi i Anijes dhe oficeri që u morën në pyetje thanë se nuk i kanë parë. Vetëm 5 muaj më vonë nga hetimet e policisë dhe prokurorisë së Vlorës, arriti të dokumentohet plotësisht ngjarja.
Burime pranë policisë së Vlorës thanë se efektivëve të dosjes bregdetare u ishte premtuar një shumë e konsiderueshme parash më qëllim lënien të lirë të trafikantëve para se të formoheshin në policinë lokale.