Manastirliu inspekton procesin e vaksinimit në Vlorë: Po përgatitemi për uljen e fashës
03 Prill, Vlorë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nga Vlora, ku ka inspektuar procesin e vaksinimit masiv, deklaroi se shumë shpejt do të nisë vaksinimi për të moshuarit nën 70 vjeç.
“Kam një thirrje për çdo të moshuar mbi 70 vjeç që ende nuk është lajmëruar nga mjeku i familjes, me kartën e identitetit, mund të paraqiten pranë qendrave të vaksinimit të përqëndruar”, tha Manastirliu.
Duke folur për vijimin e procesit të vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh nga Vlora se do të ulet fasha e vaksinimit.
“Ne jemi duke punuar për të ulur fashën dhe do të ndjekim planin tonë të vaksinimit. Është shumë e rëndësishme që mjeku I familjes të vijojë të bëjë rolin e tij, që të mos ngelet asnjë qytetar pa vaksinuar”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se në portalin e- Albania vijon rezervimi për vaksinimin dhe deri tani janë regjistruar shumë se 17 mijë aplikime.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 172.486 doza të vaksinës ndaj COVID19.