Vrasja e Taulant Gjikës në Vlorë, për borxhet dhe prishjen e pazareve

Borxhet dhe prishja e pazareve të paligjshme janë pistat kryesore që policia e Vlorës po heton për të zbardhur ekzekutimin e të riut Taulant Gjikaj mesditën e së mërkurës në këtë qytet.

Dyshimet janë ngritur pas zbardhjes së bisedave dhe mesazheve që 31-vjeçari kishte shkëmbyer pak para ngjarjes në telefon. Bisedat mësohet se kanë qenë të ashpra, me debate dhe ofendime.

I vetmi i arrestuar deri më tani është Hansi Jonuzi, i cili ka mohuar të jetë i përfshirë në vrasjen e të riut, pavarësisht se u ndalua në automjetin që u përdor për të kryer eliminimin e Gjikajt dhe në makinë iu gjet një armë kallashnikov.

Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë policia ka identifikuar dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët dyshohet se janë Skerdjan Gabrani 36 vjeç dhe Elton Hajnaj 45 vjeç.

Ata kanë qenë miq me njëri-tjetrin, ndaj 31-vjeçari ndaloi në momentin që ata i dolën para në rrugë. Agresorët ishin të pamaskuar dhe teksa njëri i drejtohet me fjalë tjetri ka hapur zjarr nga pas. Viktimës i është gjetur një pistoletë me vete.

Policia e Vlorës ka organizuar kontrolle të shumta për kapjen e 2 autorëve, por pa rezultat. 14 persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.

31-vjeçari Taulant Gjikaj njihej dhe me dy mbiemrat e tjerë, Beqiraj dhe Manaj, ndërsa rezulton një person me të shkuar të pasur kriminale. I riu është përfshirë në një përplasje me armë në Vlorë në Shkurt të 2018, ndërsa është arrestuar dhe dy herë të tjera për armëmbajtje pa leje.