Shiste ushqime të skaduara, arrestohet pronari i “Saranda Al”
Mihal Kote, pronari i subjektit tregtar “Saranda Al” që u denoncua nga emisioni Stop në Tv Klan për falsifikim të produkteve ushqimore, është arrestuar nga Policia e Tiranës. 62-vjeçari, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë, akuzohet për mashtrim me produktet ushqimore, fshehje të ardhurash dhe mospagim të taksave dhe tatimeve.
Nga kontrollit në subjektin e tij tregtar “Saranda Al” në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet, janë konstatuar një sasi e madhe djathi dhe vaj ulliri të cilat kishin të ndryshuara datat e skadencës si dhe kishte paraqitur fatura të rreme në etiketimin e produkteve ushqimore të cilat i tregtonte si dhe i kishte të pa pajisura me fatura tatimore me TVSH.
Pas denoncimit të Stop, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sekuestroi 10 ton vaj, 400 kg djath kaçkavall, 4 ton djath të bardhë lope të cilit i ndërrohej etiketa dhe shitej si djath dhie, 300 kg salcë kosi dhe 200 kg reçel fiku.
Emisioni Stop denoncoi mbrëmjen e së martës (2 Mars 2021) rastin se si ky subjekt tregtar vajin e sallatës e shiste për vaj ulliri, kur në të vërtetë përzihej me ngjyrues dhe kimikate të tjera. Për të vërtetuar këto të dhëna, Stop publikoi pamjet e kamerave të fshehta nga brenda magazinës së “Saranda Al”, ku dukej i gjithë procesi, si dhe pronari Mihal Kote që udhëzonte punëtorët se si të vepronin.
Po kështu, edhe djathi i mykur pastrohej dhe më pas grihej e shitej si djath kaçkavall. Një tjetër abuzim me shëndetin e qytetarëve nga ky subjekt tregtar ishte edhe fakti se djathin e lopës, “Saranda Al” i ndërronte etiketën dhe e shiste për djath dhie.