Sarandë, Erjon Dhroso dhunoi ish-vjehrrën, prokurori nuk jep shpjegim për hetimet ndaj drejtorit të spitalit
Emisioni Stop në Tv Klan denoncoi mbrëmjen e së enjtes dhunën e ushtruar ndaj saj nga ish-dhëndri, që është edhe drejtori i Spitalit të Sarandës.
Prokuroria e ka referuar këtë çështje si plagosje të lehtë me dashje, por zonja pretendon se duhet të klasifikohet si dhunë në familje edhe pse autori është ish-dhëndri i tij.
“Stop” kontaktoi vetë me prokurorin Ilir Hoxha, i cili nuk dha shpjegime se pse nuk i merr pamjet filmike në bizneset e zonës ku ndodhi ngjarja dhe pse nuk i përshpejton procedurat e hetimit.
Avokati Elvis Turtulli thotë se legjislacioni duhet ta rregullojë këtë situtatë me ligj, sepse ngjarje të tilla mund ta çojnë marrëdhënien në konflikte më të avancuara.
Avokati Elvis Turtulli: Qoftë me iniciativë, qoftë dhe me kallëzim të personit, kur kemi shkuar në komisariatin e policisë duke bërë kallëzimin e personit që ka ushtruar dhunë kundra viktimës, në këtë rast është detyrimi i organeve të policisë të dërgojnë kërkesë, ka një formular të cilin e dërgojnë në Gjykatë për urdhër të menjëhershëm të mbrojtjes.
Ballafaqimi i gazetarit të Stop me prokurorin e çështjes:
Gazetari: Sa i takon sekuestrimit të pamjeve të biznesit privat bankar, ju duhet ta dini z.Hoxha, që nuk mund të zgjasë pafundësisht! Ju e keni shumë të lehtë.
Prokurori Ilir Hoxha: Të lutem, se është gjykatë!
Gazetari: Dakord, nuk po hyj. Ju duhet t’i kishit sekuestruar tashmë, t’i kishit siguruar pamjet filmike. Kështu që, ju lutem, duhet të përshpejtoni procedurat, lidhur me çështjen e zonjës!
Sipas avokatit, ish-vjehrri me ish-vjehrrën duhet të futen në grupin e marrëdhënieve familjare dhe ngjarje të tilla të klansifikohen si dhunë në familje.
Avokati Elvis Turtulli: Legjislaturë në këtë pjesë duhet të vëjë dorë dhe duhet ta rregullojë, sepse janë burime të vazhdueshme dhune dhe përshkallëzimi të mëtejshëm duke e çuar marrëdhënien në konflikte edhe më të avancuara, sepse në një marrëdhënie familjare nuk jemi vetëm aktorët siç janë bashkëshorti, bashkëshortja dhe prindërit, por kemi dhe fëmijët të cilët i detyrojnë pjesëtarët e familjes që të mbajnë marrëdhënie të përhershme me njëri-tjetrin. Dhe në këtë mënyrë, ish-vjehrri me ish-vjehrrën duhet të futen në grupin e marrëdhënieve familjare. Duke qenë marrëdhënie kaq e afërt dhe ligji parashikon krushqinë si subjekt të veprës penale dhe kjo është krushqi, por nga ana tjetër ligji parashikon dhe gjininë e afërt. Këtu duhet ta bëjë një interpretim gjykata që të konsiderohet ish-krushqia gjini e afërt apo jo. Në rastin e dhunës në familje, ligji ka parashikuar afate të shpejta proceduriale siç është urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, kufizime të natyrave të tilla për të mos arritur të përshkallëzohet dhuna. Në rastin e dispozitave të tjera ka një afat hetimor që është afati 3-mujor, sigurisht mund të ketë shtyrje edhe për shkak të pengesave proceduriale. Por në rastin konkret duke qenë se kemi një dhunë në familje pavarësisht se ligji nuk e parashikon, pra ka një ngërç që nuk e parashikon, këto afate duhet të jenë më të shpejta. Pra nuk mund të presim që të plotësohen afatet hetimore sipas Kodit të Procedurës. Ka dhe një përgjegjësi morale këtu, kushdo që ka këtë çështje në dorë për t’i dhënë drejtim çështjeve që mos të përshkallëzohet dhuna.