Gjiknuri takim me fermerët në Tragjas të Vlorës: Nafta e lirë për bujqësinë, premtim i mbajtur
Mbështetja për fermerët dhe politikat për zhvillimin e bujqësisë ishin në qendër të takimit të zhvilluar në Tragjas ku morën pjesë drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, kryebashkiaku Dritan Leli, nënkryetarja Aulona Veizi dhe kreu i PS lokale Anduel Tahiraj.
Kryebashkiaku Dritan Leli u shpreh se fermerët janë shembulli më pozitiv i suksesit të skemave të mbështetjes. “Në Bashkinë e Vlorës gjatë muajve të verës ne vendosëm të përforcojmë stafin me një nënkryetare Bashkie, Aulonën, që është një nga ekspertet më të mira të bujqësisë. Ne krijuam një strukturë të tërë që i dedikohet vetëm bujqësisë për të trajtuar problematikat tuaja”, tha Leli.
Në fjalën e saj përpara fermerëve, Veizi u ndal tek projektet e qeverisë dhe donatorëve për mbështetjen e fermerëve.
“Janë tre skema kryesore përmes të cilave u është krijuar mundësia fermerëve që të mbështeten në aktivitetin e tyre. Së pari është program IPARD II si instrument për ndihmën para-anëtarësimit me fokus zhvillimin rural. Së dyti, janë skemat kombëtare si financim i drejtpërdrejt nga programi për bujqësinë. Skema e tretë është ajo e naftës për bujqësinë që mbulon kryerjen e punimeve te mekanizuara në kulturat bujqësore dhe sezonet përkatëse të mbjelljeve”, u shpreh Veizi.
Drejtuesi politik i socialistëve Damian Gjiknuri u ndal tek mbajtja e premtimit për naftën me kosto të lirë për bujqësinë.
“Nafta për bujqësinë ka qenë një kërkesë e kahershme e fermerëve dhe ka nisur të realizohet. Ministria e Bujqësisë ka krijuar të gjitha lehtësirat për fermerët që të mund të përfitojnë naftën me kosto të ulët duke rritur dhe fitimin e tyre. Eksportet bujqësore sa vijnë e po rriten ashtu sikurse edhe prodhimi bujqësor. Qeveria ka marrë përsipër të përmbyllë dhe një proces shumë të rëndësishëm siç është azhornimi i tokave. Jam i bindur se mandatin e ardhshëm do të zgjidhet përfundimisht çështja e pronësisë mbi tokat bujqësore”, theksoi Gjiknuri.
Sipas tij, çelësi i zhvillimit do të jetë kombinimi midis bujqësisë dhe turizmit. “Dua të marr një shembull konkret. Rruga e lumit nuk ka vetëm synim lidhjen e fshatrave me qytetin por për të qenë lokomotivë e nxitjes së zhvillimit. Një rrugë e re që të nxjerr në bregdet, afron atë krahinë me bregdetin dhe qytetin, jam i bindur që do të rrisë interesin për agroturizmin”, deklaroi Gjiknuri.
Më tej, ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve për mandatin e tretë të Partisë Socialiste në krye të punëve të vendit.
“Ky tren i nisur për zhvillimin e Vlorës nuk duam të ndalet. Që të ecim përpara duam partner, ju duam ju që e ndjeni që Shqipëria po ndryshon realisht dhe ka më shumë vëmendje ndaj jush. Duam partner ju që shikoni një qeveri që punon, që edhe kur nuk e bën gjithçka siç duhet mund të dëgjojë dhe reflektojë. Pala tjetër mund të premtojë shumë por nuk kanë dhënë prova. Ata vijnë pa dhënë asnjë provë në qeverisjen e tyre, vijnë të të mbushin mendjen se në 4 vitet e ardhshme do rrisin ekonominë 100% çka nuk ka asnjë mundësi të ndodhë. Thonë do dyfishojmë të ardhurat e njerëzve dhe histori të tjera si këto. Shikoni mirë se kush jua thotë dhe çfarë ka bërë në të kaluarën”, insistoi Gjiknuri sipas të cilit ardhja e një qeverie të djathtë do të ndalë trenin e zhvillimit të Vlorës dhe do ta kthejë atë mbrapsht.
Nga skema e IPARD II kanë përfituar nga Qarku Vlorë 20 fermerë për ndërtim stallash, mbjellje pemësh frutore etj. Nga skemat kombëtare janë përfitues në nivel qarku 1000 aplikantë me mbështetjen për tufën bazë të matrikuluar. Për mbarështim të bletarisë janë mbështetur 170 aplikantë. Ndërkaq, për skemën e naftës rezulton që deri më tani të kenë aplikuar 350 persona në nivel Qarku.