Fshati pa rrugë, mungesa e infrastrukturës ka detyruar banorët të braktisin Dhrovjanin
6 km rrugë e amortizuar mban peng një fshat me asete të mëdha turistike, kulturore dhe natyrore. Fshati Dhrovjan në Bashkinë e Finiqit, jo shumë larg kufirit me Greqinë, nuk të jep mundësinë ta vizitosh, kjo pasi rruga për të shkuar në fshat nuk ekziston.
“Është nga fshatrat më të mëdhenj të zonës. Rruga është shumë e keqe për të ardhur. Kanë filluar shumë herë për ta rregulluar rrugën, por deri më tani nuk kanë bërë gjë, as shteti as ne si fshat. Rrugën vazhdojmë ta kërkojmë me të gjitha mënyrat por nuk na e bëjnë”, u shpreh një banore.
“Rruga e Dhrovjanit, nuk ka më keq. Çdo muaj 300 mije lekë shkojnë për makinat. Është fshat me histori, është fshat me 15 kisha ka gjëra arkeologjike, por s’ka mundësi të vij asnjë këtu. Asnjë parti politike nuk u interesua për asgjë këtu”, u shpreh një tjetër.
Mungesa e rrugës ka sjellë dhe braktisjen e fshatit që dikur numëronte rreth 2500 banorë. Shpopullimi ka bërë që sot në shkollën e fshatit janë vetëm dy nxënës dhe për mësimet e tyre kujdeset mësuese Sofia.
“Emigracioni ka bërë punën e tij. Kanë ikur shumë njerëz. Ishin tre, një nxënëse iku në Bularat mbaroi vjet, edhe tani kanë ngelur 2 nxënës .Si në gjithë fshatrat, kjo ka ndodhur”, u shpreh mësuesja.
Fshati Dhrovian, një aset turistik mjaft i rëndësishëm i jugut të Shqipërisë është i pa vizituar nga turistët. Shkaku kryesor mbetet rruga që të sjell deri këtu. E dyta është mungesa e promovimit të vlerave turistike. Fshati ka një traditë të vjetër me kishat e shumta, puset e ujit dhe histori qindra vjeçare.
Të kontaktuar nga Euronews Albania, Bashkia e Finiqit tregoi se ka gati një projekt për rrugën që të çon në Dhrovjan, por që nuk janë gjetur mundësitë për investim dhe gjithçka është në pritje të akordimit të fondeve nga qeveria.
“Me përjashtim të disa ndërhyrjeve brenda kapaciteteve që ka bashkia jonë, nga qeveria nuk është bërë asnjë ndërhyrje që ky aks prej 7 km të bëhet funksional dhe të bëjë të aksesueshëm fshatin e Dhrovianit për vizitorët që të shikojnë bukuritë dhe mikëpritjen e këtij fshati”, tha Thoma Nikuli, specialist i turizmit në bashkinë Finiq.
Deri në arritjen e investimit për këto pak km rrugë, fshati Dhrovjan do të mbetet i pa aksesueshëm nga vizitorët dhe jo vetëm.