Aeroporti i Vlorës/ Nis negociimi i kontratës me kompaninë “Mabetex”
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se nis sot negociimi me kompaninë “Mabetex” për kontratën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.
Në fillim të këtij muaji bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, ndërkohë ideatori është YDA Group me 48% dhe A Group sh.p.k me 2 % u shpall fituese për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Vlera e investimit është 103.966.030 euro.
Vet kreu i kompanisë “Mabetex”, Behgjet Pacolli informoi pak ditë më parë mbi fazat në të cilat do të kalojë projekti.
Në fazën e parë në periudhën 2-vjeçare do ndërtohet godina e aeroportit dhe pista që kapin vlerën mbi 103 milionë e 500 mijë dollarë.
Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit që arrijnë vlerën e investimeve me qindra miliona euro.
Ndër të tjera, ai thotë se ky projekt konsiderohet si investimi më i madh i ndonjë kompanie private në rajon.
Kriteret teknike të vendosura përmbushin ato të kategorisë 4E, që është një nga kategoritë më të larta të aeroporteve ndërkombëtare duke nisur nga pista që duhet të jetë 3,2 km dhe deri tek sipërfaqet terminalit dhe të gjithë facilitetet e tjera që ky aeroport duhet të ofrojë.
Po ashtu, ministrja Balluku ka bërë të ditur se aeroporti në të ardhmen do të jetë edhe shtëpia e “Air Albania”.
Nga ana tjetër ministrja theksoi se një industri e re, ajo e mirëmbajtjes së avionëve, ka treguar interes prej vitesh, por tashmë është mundësia e vërtetë për ta akomoduar atë në aeroportin e ri të Vlorës, duke krijuar një sektor të ri brenda industrisë së aviacionit.
“Projekte të mëdha që marrin jetë e bëhen realitet, falë përkushtimit dhe punës së palodhur të skuadrës”, u shpreh ministrja.