Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Klodiana Gjyzari ngel në veting
Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Klodiana Gjyzari u shkarkua nga detyra të hënën, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme me të tre kriteret e rivlerësimit.
Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin.
Gjatë seancës dëgjimore, Klodiana Gjyzari u pyet mbi burimet financiare të blerjes së një apartamenti në Vlorë dhe dyshimet për konflikt interesi.
“Ka shqyrtuar një proces gjyqësor në vitin 2003, ku palë ndërgjyqëse ka qenë edhe firma ndërtuese tek e cila ka porositur në vitin 2004 apartamentin e përfituar në vitin 2006, duke i dhënë të drejtë kësaj shoqërie,” tha relatori Ilia.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raport negativ për gjyqtaren Klodiana Gjyzari, duke ngritur dyshime për përfshirjen e saj në veprime korruptive, si dhe për ndikim të paligjshëm të saj në sistemin gjyqësor.
DSIK ka konkluduar se Gjyzari është e papërshtatshme për vazhdimin e detyrës dhe ka referuar çështjet gjyqësore ku dyshohet se ajo mund të jetë përfshirë në veprime të paligjshme.
Gjyqtarja Gjyzari e konsideroi abuziv dhe të pabazuar informacionin e raportuar nga DSIK. Ajo theksoi se DSIK duhej të jepte informacion nëse kishte pasur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.