Drejt përfundimit dy akset Tepelenë-Lekdush dhe Gusmar-Kuç/ Bëhet realitet ëndrra e vjetër e lidhjes së Labërisë së Sipërme me bregun e Himarës
“Punimet për ndërtimin e dy akseve rrugore, Tepelenë-Lekdush prej 7 km dhe Gusmar-Kuç, prej 10 km po shkojnë drejt përfundimit, duke bërë realitet gjatë sezonit të verës ëndrrën e vjetër të lidhjes së Labërisë së Sipërme me bregun e Himarës”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit në kantieret e ndërtimit të këtyre dy akseve, nga ku theksoi se ndërtimi i tyre krijon një perspektivë të re për zonën e mrekullueshme malore mes Tepelenës dhe Himarës.
Ndërtimi i këtyre rrugëve, tha Rama, ndihmon në zhvillimin e zonës, për shkak të potencialit turistik, ashtu si dhe për shkak të daljes së prodhimit të zonës në breg gjatë gjithë sezonit turistik.
“Synimi ynë është promovimi i turizmit malor familjar për vet klimën e traditën që kjo zonë ka. Aksi rrugor Gusmar-Kuç nuk ka ekzistuar më parë dhe kjo bën të mundur lidhjen e fshatrave të Tepelenës dhe Himarës”, tha kreu i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi.
Të dy këto akse rrugore sipas tij, do të jenë të aksesueshme përgjatë sezonit veror.
Kjo ndërhyrje është në vijim të një sërë investimesh që po kryhen në të gjithë zonën e Labërisë.