Zhbllokohet gara për ndërtimin e aeroportit të Vlorës
Gara për ndërtimin e aeroportit të Vlorës është zhbllokuar, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë deri më 1 Shkurt afatin për dorëzimin e ofertave të kompanive që do të shprehin interes për të marrë përsipër punimet për këtë vepër. Tenderi u pezullua për një periudhë prej 4 javësh, dy ditë përpara se të mbyllej afati për dhënien e ofertave, pas një ankese që depozitoi në Komisionin e Prokurimit Publik kompania “Global Technical Mechanics”, e cila është po ashtu fituese e garës për ndërtimin me koncesion të aeroportit të Kukësit.
Shoqëria kërkoi ndryshimin e disa kritereve të kualifikimit në garë, si ato të eksperiencës në operimin e aeroporteve dhe madhësisë së tyre, që duhej të kishte fituesi i tenderit, por që u rrëzua si pretendim nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik.
Gara për ndërtimin me koncesion të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës u hap fillimisht në Dhjetor të 2019-s, por u shty për shkak të situatës që krijoi në fushën e aviacionit pandemia e Covid-19. Qeveria e rihapi atë në fund të Nëntorit 2020 dhe nëse procesi do të vijojë pa pengesa, punimet nisin brenda verës së këtij viti.
Tenderi për ndërtimin e aeroportit të Vlorës mbështetet në formulën koncesionare ndërtim–operim-transferim, ku investimi prej afro 87 milionë Eurosh do të jetë privat, ndërsa buxheti i shtetit merr përsipër të garantojë të ardhurat minimale në 10 vitet e para nëse do të jenë më të ulta se 140 milionë Euro.
Kompania që do të shpallet fituese do të ketë të drejtat e operimit për 35 vjet, ndërsa si vendndodhje është zgjedhur zona e Akërnisë në Vlorë, 10 minuta larg aksit kombëtar Levan-Vlorë.