Finiq, çfarë ndodhi me 31-vjeçarin që vodhi dhe ngacmoi seksualisht të moshuarën

Gjykata e Sarandës ka dënuar dje me 16 muaj burg një të ri të akuzuar për “vjedhje” dhe “ngacmim seksual”. Kristaq Mitro u dënua me 6 muaj burg për “vjedhje” dhe 20 muaj burg për “ngacmim seksual”.

Pasi bashkoi dënimet, gjyqtari Fatmir Ndreu e dënoi atë me 24 muaj burg dhe për shkak te gjykimit të shkurtuar i uli 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht me 16 muaj burgim.

NGJARJA
Në datën 08.04.2020, shërbimet e Policisë Gjyqësore në stacionin e Policisë Livadhja janë njoftuar se në fshatin Neohor të Bashkisë Finiq kanë vjedhur banesën e shtetases Janulla Grigor Shozho.
Pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor, i cili ka shkuar në fshatin Neohor dhe konkretisht në vendin ku kishte ndodhur ngjarja, që ishte banesa e shtetases Janulla Shozho, 76-vjec, banuese në fshatin Jerme.

Përpara Policisë Gjyqësore kjo shtetase ka deklaruar se në mbrëmjen e datës 07.04.2020 është shtrire për të fjetur gjumë si çdo ditë rreth orës 22:00 dhe ndërkohë pas 23:30 ka dëgjuar një zhurmë në dritare. Në këtë kohë ka parë një person, i cili është futur brenda në dhomë, është afruar pranë saj dhe i ka folur në gjuhën greke me fjalët, “mos hap dritën, mos fol se do të mbys”. Personi filloi t’i bërtiste të dëmtuarës dhe njëkohësisht i kërkonte lekët se ku i kishte dhe po qe se nuk do t’ia jepte do ta rrihte.

E dëmtuara Janulla Shozho i ka thënë se; “nuk kam lekë dhe merr çfarë të duash dhe mos më ngacmo se jam e sëmurë, jam me ilaçe”. E moshuara ishte në krevat e shtrirë dhe ndërkohe është ngritur në këmbë por personi që kishte hyre në banesë e ka shtyrë atë me duar. Më pas sipas të moshuarës, i riu nisi me gjeste të shëmtuara, duke e ngacmuar atë seksualisht. Shtetasja Janulla Zhozho ka deklaruar në atë kohë se personi i cili i kishte hyrë në shtëpinë e saj ishte shtetasi Kristaq Mitro, 31 vjeç, nga fshati Jerme dhe e njihte shumë mirë atë. Më pas ai i ka marrë telefonin të cilin e kishte te koka e krevatit dhe është larguar.

Në vijim Policia Gjyqësore ka këqyrur banesën e kësaj shtetase, ku ka rezultuar se dritarja e banesës ishte e shqyer me sende të forta.

Lidhur me këtë ngjarje Policia ka pyetur të riun, në prani të avokatit dhe përkthyesit. Ai ka deklaruar se ka qenë në shtëpi në Jerme dhe rreth orës 23:00 është nisur për në fshatin Neohor. Shton se kishte pirë pak alkool por ishte në gjendje të shikonte rrugën për të shkuar në fshatin Neohore.

Pasi është nisur në drejtim të shtëpisë së shtetasit Kristo Dai, pa dashur, vijon ai, ka ngatërruar rrugën dhe ka shkuar tek shtëpia e shtetases Janulla Shozho. Aty është futur në banesën e saj nga dritarja dhe pasi është futur në korridor ka hapur derën dhe ka ikur me shpejtësi. Mitro ka deklaruar se më parë ka hyrë në banesat e shtetasve Foto Cilit, Orest Gribura, Jani Angjeli, Filip dhe Vasil Cura, ku ka vjedhur ushqime, raki apo vaj.