Skandali në Delvinë, reagon trajneri: Gjyqtari Pulaj shau tifozët
Trajneri i Delvinës, Donald Mehmeti, ka një tjetër version për atë që ndodhi. Në bisedën për “Panorama Sport”, ai sqaron se arbitri Pulaj ofendoi tifozët.
“Pa dyshim që është një episod i shëmtuar. Deri në minutën e 10-të gjithçka në fushë ishte normale, pra një lojë më se e rregullt. Të dyja ekipet patën nga një rast shënimi, por më pas ndodhi ajo që ndodhi. Unë mund t’ju them se arbitri Pulaj ofendoi tifozët fillimisht dhe më pas ndodhi incidenti.
Nuk e them për justifikim, por kjo është e vërteta dhe kurrsesi nuk mbroj tifozët. Në dijeninë time ky ishte dhe shkaku që solli pasojën. Si staf teknik dhe drejtues të klubit të Delvinës, e dënojmë dhunën në futboll, aq më shumë në shtëpinë tonë.
Një tifoz i vetëm nuk mund të përfaqësojë Delvinën”, është shprehur trajneri Mehmeti. Kësisoj, tashmë në qytetin jugor janë me zemër të ngrirë në pritje të vendimit të Disiplinës.