Rrëfimi i Edi Ramës: Pushteti për mua është mjet për të realizuar premtimet publike
Në një rrëfim të rrallë, kryeministri Edi Rama ka folur për karrierën e tij politike, qëllimet dhe sfidat. Duke prezantuar ambientin e tij të punës për ‘Opinion’, Rama u pyet në lidhje me qëndrimin e tij gjatë në politikë.
Teksa u pyet se si e sheh karrierën e tij që prej ftesës së Fatos Nanos për t’iu bashkuar PS-së, Rama tha se pushtetin nuk e sheh si qëllim, por si mjet.
“Unë them që ka një ndryshim mes karrierës politike dhe kohës së qëndrimit në majë. Vitet e numëruara janë pak më ndryshe pasi unë kam pasur një ngjitje me etapa. Sa i përket qëndrimit në krye, janë vetëm 7 vite e dy muaj ndërsa për pushtetin në vetvete, ka njerëz që pushtetin e kanë qëllim. Kur është kështu, ai është burimi i shumë të këqijave. Kur pushteti është mjet, atëherë njeriu realizon qëllimet.
Për mua pushteti është vetëm mjet për të realizuar premtimet dhe qëllimet e mia publike që s’janë aspak sekret” – tha Rama