Qeveria merr vendim, nga 1 janari 2021 rritet paga minimale në 30 000 lekë
Qeveria me anë të një VKM ka vendosur rritjen e pagës minimale për punonjësit në të gjithë Shqipërinë. Nga 1 janari 2021 paga minimale do të jetë 30 000 lekë, nga 26000 lekë që është tani.
Për të marrë këtë pagë bazë duhet që të kryhen 174 orë pune në muaj gjatë kohës normale të punës, ndërsa shtesat jepen mbi pagën bazë.
Pas rritjes së pagës minimale, pritet që të rritet edhe ajo maksimale për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore. Burime nga Ministria e Financave pohuan se ende nuk është vendosur, por paga maksimale pritet të rritet me 15%. Rritja e pagës maksimale pritet që të shtojë automatikisht pagesën për sigurimet shoqërore, e cila ndahet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Më herët ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka thënë se se Shqipëria ka humbur më pak vende pune se vendet e rajonit gjatë pandemisë, ndërsa ka theksuar se një nga sfidat ishte vendosja e pagës minimale 30 000 lekë, për të cilën tashmë është marrë vendim.
Nga pandemia, Rama ka thënë se humbën vendin e punës 33 000 persona dhe u ripunësuan 20 000, ndërsa sipas raporteve të Bankës Botërore Shqipëria ka humbur më pak vende pune se vendet e rajonit duke regjistruar edhe nivelin më të ulët të papunësisë 11.2 %.
Këshilli i ministrave vendosi:
1. Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 172.4 (njëqind e shtatëdhjetë e dy pikë katër) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.809, datë 26.12.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021.