Greqia merr vendimin, miratohet dekreti për zgjerimin me 12 milje në Detin Jon
Greqia ka miratuar dekretin presidencial për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon deri në 12 milje. Dekreti përfshin hapësirën në zonën veriore të detit Jon, të ishujve të Jonit e deri në Kepin e Tenaro në Peloponez.
Gazeta greke “ Protothema” në një reportazh të detajuar, thekson se me këtë hap ditën e Krishtlindjeve, Athina i dërgon një mesazh të hapur Turqisë, sidomos kur theksohet se, në përputhje me Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara qeveria greke “rezervon të drejtën për të ushtruar të njëjtën pikë dhe në zonat e tjera të ujërave territoriale”.
Zgjerimi i ujërave territoriale në detin Jon transformon të njëjtin rajon në një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ), pra në një zonë detare, ku një shtet ka të drejtë të hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.
Në të njëjtën kohë, përcaktimi i vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe mbyllja e gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon, hapin rrugën për hartimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, është rënë dakord gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në Tiranë, dhe takimit që ai pati me kryeministrin shqiptar, thekson gazeta greke “To Protothema” duke shtuar, se çështja mbetet e hapur nga viti 2009, kur Greqia nënshkroi një marrëveshje për zonën detare, e cila u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.