30- vjetori i themelimit të PD, Hariz Mema: Me Lulzim Bashën kryeministër do kthehemi në shina
Partia Demokratike e Shqipërisë feston sot 30 vjetorin e themelimit.
Për këtë datë i kanë shkruar një status për ta publikuar dhe kryedemokratit të Sarandës, Hariz Mema.
“Partia Demokratike e Shqipërisë 30 vite!
Të dashur qytetarë, miq, anëtarë e simpatizantë, sot Partia Demokratike e Shqipërisë feston 30 vjetorin e themelimit!
Si sot 30 vitë më parë studentë, të rinj, qytetarë, intelektualë të nderuar të këtij vendi themeluan partinë e parë pluraliste në vend, Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Kujtojmë me krenari, nder e dashuri atë ditë në të cilën u krijuan kjo parti e lirisë dhe e burimit shpirtëror që jep liria e demokracia.
Mirënjohje të thellë themeluesëve të saj në datën 11 dhjetor 1990, doktor Sali Berishës, të ndjerit Azem Hajdarit, tribun i demokracisë, të ndjerit Gramos Pashko, të ndjerit Arben Broci, z.Besnik Mustafaj, z.Eduart Selami, z.Genc Ruli, z.Aleksandër Meksi, z.Edmond Budina, z.Edmond Tupja, z.Mevlan Shanaj e të gjithë me rradhe ato 343 emra firmëtarësh e qindra mijra shqiptarësh që ishin fizikisht dhe me zemër jashtë asaj godine, e në mbarë vendin.
PD përfaqëson vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Nga çdo vështirësi, nga çdo rrëzim, ajo është ngritur më e fortë. Sepse forca jonë buron nga idealet dhe idetë ku ne besojmë dhe për të cilat luftojmë.
Partia Demokratike është ajo që ka mbajtur me vendosmëri, që nga dita e parë e lindjes e deri sot, busullën perëndimore, euroatlantike dhe europiane të Shqipërisë. Ne jemi të lumtur që sot, edhe forcat e tjera politike në vend deklarohen në këtë kurs historik për fatin e vendit tonë, por si pararendës dhe si protagonistë, ne demokratët jemi këtu për të qenë garantët dhe për të mos rreshtur së shërbyeri, brez pas brezi, idealin dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Euroatlantizmi i shkrirë natyrshëm me vizionin dhe ndjenjat tona kombëtare është pasaporta, është identiteti ynë politik!
Pavarësisht sfidave, PD ka ditur, ka mundur dhe ia ka dalë të mbetet e madhe, ia ka dalë të ngrihet nga hiri, ia ka dalë të qëndrojë forca kryesore e qendrës së djathtë, ia ka dalë të riniset në fillime të reja, në nisje të reja, ia ka dalë të afirmohet si alternativa e vetme e pushtetit të së majtës socialiste, ia ka dalë të qeverisë me sukses, të sjellë zhvillim dhe integrim real, si asnjë forcë tjetër në vend.
Me Kryeministër z.Lulzim Basha ne do të jemi forca politike që do ta bëj Shqipërinë si e gjithë Europa, do ta kthejmë në shinat e shtetit të së drejtës me një ekonomi të shëndoshë dhe mirëqënie për qytetarët”, nënvizon Mema. /Sarandanews.com/