Masat e reja izoluese nga nesër, reagon kryeministri Rama
Një ditë pasi Komiteti Teknik i Ekspertëve lajmëroi se vendi nga e mërkura do të futët në izolim të pjesshëm për shkak të shifrave të infektimeve dhe numrit të viktimave, por dhe situatës në spitalet Covid, kryeministri Edi Rama ka publikuar në Instagram masat e reja kufizuese që hyjnë në fuqi nga 11 Nëntori.
Pa asnjë diçiturë, Rama ka publikuar këtë grafik që tregon se lëvizja do të kufizohet nga ora 10 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit dhe do të mbyllen baret e restorantet po në këtë orar. Gjithashtu edhe administrata publike do të punojë nga shtëpia.
Ndërkaq, në një postim në facebook, Rama ka postuar dhe një grafik ku tregon se me buxhetin e vitit 2021, është garantuar rritja me 40% e pagave të 18 mijë mjekëve dhe infermierëve në vend.
“MIRËMËNGJES dhe me rritjen më të lartë ndonjëherë të pagave për bluzat e bardha, që po përballen me sfidën e njëherë një shekulli në shëndetësi, duke u përulur me respekt para punës së tyre e sidomos para sakrificave të atyre të cilët luftojnë papushim prej muajsh e muajsh në vijën e zjarrit me Armikun e Padukshëm, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri.