Largimi i qytetarëve/ Gjirokastra humbet një deputet në zgjedhjet e 25 prillit
Në zgjedhjet e 25 prillit Dibra dhe Gjirokastra do të humbasin nga një mandat deputeti. Qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin një deputet më pak dhe kjo ka ardhur si pasojë e uljes së numrit të popullsisë në këto qarqe.
Kjo konfirmohet nga të dhënat që Drejtoria e Gjendjes Civile ka vënë në dispozicion për KQZ, ku i ka përcjellë informacione mbi shtetasit që kanë të drejtë vote.
Nga formula e përllogaritur nga KQZ, dibranët tanimë do të zgjedhin 5 dhe jo 6 deputetë, ndërsa gjirokastritët, do të votojnë për 4, e jo më për 5 deputetë.
Këto dy mandate që bien për shkak të lëvizjes së popullsisë, i shtohen qarkut të Tiranës, e cila nga 34 mandate, do të shkojë në 36.
Dibra dhe Gjirokastra janë dy qarqet e vetme ku do të ketë ndryshime në numrin e deputetëve të 25 prillit.
Referuar trendit të votave sipas rezultateve të 2017-ës, mandati i djegur në Dibër i ikën Partisë Demokratike, ndërsa ai në Gjirokastër i rrëzohet Partisë Socialiste.