“Kemi përpara edhe disa muaj të vështirë”, Rama: Çeta e çakërdisur pa vizion kërkon t’ju kallë tmerrin

Përmes një reagimi të gjatë, kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish opozitën joparlamentare, duke e cilësuar si një çetë që kërkon të përhapë panik rreth situatës me Covid.

Shefi i qeverisë shkruan se duhet durim pasi kemi përpara edhe disa muaj të vështirë.

Ai shton se qytetarët nuk duhet të bien pre e lajmeve të rreme. Rama shkruan se kolapsi i mundshëm i sistemit shëndetësor është shpresa e fundit e PD dhe LSI pë të rrrëzuar qeverinë.

Nga Edi Rama:

Shumë tërbim sot nga çeta e çakërdisur e opozitaristëve pa vizion, pa program, pa ide dhe as din e iman, me daljen para syve tuaj të pamjeve e të dëshmive nga brendia e spitaleve Covid 1 dhe 3!

Duan t’ju fusin ankthin, t’ju kallin tmerrin e t’ju mbushin me panik, për “spitalet në kolaps”, “të sëmurët që dergjen dyshemeve”, “situatën jashtë kontrollit” dhe ëndërrojnë që kështu të ndodhë vërtetë, të sëmureni sa më shumë, të vdesin sa më shumë njerëz, të bëhet qameti fare, sepse kjo është shpresa e tyre e fundit për t’u rikthyer në pushtet…

Por siç e patë dhe siç do ta shihni edhe në pjesët e tjera EKSKLUZIVE me pamje e dëshmi, spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps, shtretërit e lirë nuk mungojnë, pacientët trajtohen me dinjitet, respekt, profesionalizëm, asnjë protokoll mjekësor anti-Covid që përdoret sot në Europë nuk mungon dhe shifrat e tregojnë qartë, që niveli i infektimeve e i humbjeve të jetëve s’është aspak ndryshe nga askund në Europë, ashtu sikundër tregojnë se niveli i shërueshmërisë në spitale është i lartë, pavarësisht fataliteteve që njësoj si në gjithë botën fatkeqësisht nuk mungojnë.

KINI BESIM, BËNI DURIM, JINI TË KUJDESSHËM PËR VETEN E TË DASHURIT TUAJ, RESPEKTONI RREGULLAT, MOS BINI PRE E LAJMEVE TË RREME, FABRIKIMEVE POLITIKO – MEDIATIKE DHE TEORIVE TË KONSPIRACIONIT!

KEMI PËRPARA EDHE DISA MUAJ TË VËSHTIRË, POR DO T’IA DALIM EDHE KËSAJ LUFTE TË EGËR DHE DO DALIM MË TË FORTË NGA KY STËRMUNDIM I MADH!