Finiq, kryebashkiaku Kristo Kiço takim me mjekët dhe infermierët e zonës
Dje, më 20.11.2020, Kryetari i Bashkisë së Finiq, Z. Kristo Kiço, zhvilloi takimet me
mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore të Livadhjasë, Finiqit, Alikos, Dhivrit, Dërmishit dhe Mesopotamit, në mënyrë që të informohej për gjendjen e shëndetit të qytetarëve në çdo
njësi administratrive dhe njëkohësisht t’i inkurajojë ata në luftën për përballimin me valën e dytë të pandemisë që duket se ka prekur rëndë edhe rajonin tonë.
Kryetari i Bashkisë, në prani të Drejtorit të ri të Kujdesit të Shërbimit Shëndetësor Parësor të Sarandës Z. Mariel Murati dhe drejtoreshës së Shërbimeve Sociale dhe Shëndetësore të Bashkisë, Znj. Katerina Theodhori, i falenderoi ata veçanërisht për punën e palodhshme dhe të suksesshme që bënë së bashku gjatë valës së parë dhe, duke theksuar se ky dimër pritet të jetë
më i vështirë, u kërkoi punonjësve të shëndetit publik të ridemensjonojnë kërkesat e tyre për të kufizuar mundësitë e përhapjes masive të koronavirusit në zonë.
Ai theksoi se ne duhet të qëndrojmë pranë të moshuarve dhe tu përgjigjemi çdo problemi shëndetësor që ata mund të kenë, duke u ofruar atyre ilaçe në kohën e duhur.
‘’Më mirë të parandalosh sesa të kurosh” ka thënë Hipokrati, babai i mjekësisë moderne, duke dashur të theksojë vlerën e parandalimit për ruajtjen e shëndetit të mirë. Drejtori i Kujdesit të Shërbimit Shëndetësor Parësor të Sarandës, Z. Mariel Murati, falenderoi Kryetarin e Bashkisë për bashkëpunimin dhe premtoi se personeli shëndetësor do të jetë në
vijën e parë dhe do të qëndrojë si zakonisht pranë të moshuarve.
Nga ana e Bashkisë Finiq janë kryer të gjitha dezinfektimet në shkolla dhe ndërtesa publike, por edhe në shtëpi ku u shfaqën raste të koronavirusit.